Prokuroria ka zbardhur detaje të reja nga vrasja e Ramazan Matajt, e ndodhur më 5 janar të këtij viti në Postribë të Shkodrës, për të cilën janë arrestuar dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj. Nga dosja hetimore e dorëzuar në gjykatë rezulton se autori kryesor, Arjon Hasaj, ka pranuar krimin dhe ka rrëfyer mënyrën se si e ka organizuar vrasjen.

Sipas Prokurorisë, Hasaj ka krijuar një profil të rremë në Instagram, duke u shtirur si femër, për të joshur viktimën drejt një takimi. Për të bërë mashtrimin sa më të besueshëm, ai ka paguar një vajzë rome që t’i dërgonte Matajt mesazhe zanore femre. Viktima është bindur se po komunikonte me një vajzë nga fshati Drisht dhe ka pranuar të takoheshin natën e ngjarjes.

Autori rrëfeu se motivi i vrasjes lidhej me konfliktet familjare, pasi motra e tij, Armela Hasaj, kishte pasur prej vitesh një lidhje me Matajn, për të cilën pretendon se ishte përndjekur dhe kërcënuar prej tij. Disa ditë para krimit, Arjoni kishte parë në Instagram një video të motrës pranë makinës së viktimës, çka e kishte “rënduar psikologjikisht”.

Në mbrëmjen fatale, gjatë një nate me shi, sapo Mataj mbërriti me makinë në vendin e caktuar, autori e qëlloi 18-19 herë me një pushkë gjuetie, më pas u largua me biçikletë dhe fshehu armën pas banesës. Ai u arrestua në Muriqan ndërsa tentonte të kalonte kufirin drejt Malit të Zi.

Gjatë një përgjimi në ambientet e policisë, dy vëllezërit janë dëgjuar teksa binin dakord të mohonin akuzat nëse policia nuk do të kishte prova. Megjithatë, pasi u sekuestruan arma e krimit, 16 gëzhoja dhe municione të tjera, Arjoni pranoi autorësinë.

Deklaratat e familjarëve të të dyja palëve, si dhe dëshmitë e banorëve të zonës, janë përfshirë në dosje dhe Prokuroria thotë se çështja do të vijojë në gjykatë me prova të plota materiale.