Është pubikuar së fundmi fotoja e autorit të dyshuar të ekzekutimit të Renato Hoxhajt.

Ngjarja ka ndodhur më 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Bëhet fjalë për Daniel Cornea, shtetas rumun 53-vjeçar, i cili vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar.

Cornea u identifikua përmes pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes, ku shihet i qetë, me maskë dhe kapele, duke mbuluar identitetin e tij me kujdes. Dyshohet se vrasësi është një ekzekutor me pagesë, i cili u kontraktua nga Dubai për të realizuar atentatin.

Pas krimit, Cornea ka dalë nga Shqipëria në mënyrë të organizuar përmes pikës kufitare të Qafë Botës, vetëm pak orë pas vrasjes. Autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e tij.

Nga hetimet e deritanishme është konfirmuar se për të kryer vrasjen janë përdorur dy armë zjarri dhe tre automjete, përfshirë një Range Rover, i blerë rreth tre javë para ngjarjes në Tiranë, që më pas u përdor për të larguar autorin nga vendi i krimit.

Viktima, Renato Hoxhaj, u qëllua me katër plumba, dy në kokë dhe dy në trup, ndërsa po qëndronte pranë një subjekti ku punonte si roje.

Për ngjarjen, në pranga janë vënë disa persona të dyshuar për ndihmë dhe bashkëpunim, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht porositësit dhe organizatorët e atentatit.

Policia ka konfirmuar se Daniel Cornea është tashmë fytyrë e identifikuar dhe publikuar për efekt hetimor, ndërsa i bën thirrje qytetarëve të ndihmojnë me çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në kapjen e tij.