Ankesa drejtuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nga ana e avokates së të pandehurve Leonard Duka, Oltjon Loga, Fatmira Hyseni etj., lidhet me shkelje të rënda procedurale, cenim të paanshmërisë dhe përdorim të standardeve të dyfishta në gjykimin e procedimit penal nr. 177/2019, nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjyqtarët Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi kanë marrë më parë pjesë në gjykimin e bashkëpandehurve të tjerë në të njëjtin procedim dhe janë shprehur lidhur me pozicionin procedural të të pandehurve aktualë.

Sipas mbrojtjes, vetë gjyqtarët Olldashi dhe Pëllumbi kanë pranuar ekzistencën e shkaqeve për heqje dorë dhe kanë paraqitur kërkesa për dorëheqje.

Po ashtu, gjyqtari Dhimitër Lara, në një gjykim tjetër të të bashkëpandehurit Ilir Selmani të të njëjtit procedim, ka pranuar se kërkesa për përjashtimin e tij duhej pranuar dhe ka dhënë dorëheqje për të njëjtat arsye.

Pavarësisht rrethanave të ngjashme, në çështjen aktuale kërkesat për përjashtim janë rrëzuar nga ana e gjyqtares Daniela Shirka, si dhe kërkesat për dorëheqje nga dy anëtarët e trupës gjykuese nuk janë pranuar nga zv.kryetari Dhimitër Lara, duke ngritur pretendimin për standard të dyfishtë.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka evidentuar më parë problemin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në vendimmarrje të mëparshme brenda të njëjtit procedim, duke e kthyer çështjen për rigjykim.

Për këto arsye është kërkuar nga ILD verifikimi i shkeljeve të pretenduara dhe marrja e masave përkatëse, për garantimin e një procesi të rregullt dhe të paanshëm.

Këtë të martë, seanca e radhës u shty për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa SPAK ka ushtruar ankim mbi vendimin e shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës.