Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko.

Teta u arrestua fillimisht pas dyshimeve për akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, por më pas akuza ndaj tij ndryshoi në vrasje dhe dosja e tij u nda nga të dyshuarit e tjerë. Prokuroria deklaroi se motivi i vrasjes ishte përplasja e dy grupeve kriminale që ishin në rivalitet për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Nga njëra anë vëllezërit Duka e njerëzit e tyre dhe nga ana tjetër, ish-polici Malko.

Santiago Malko u ekzekutua në 2019 nga klani kriminal Duka, kreu i të cilit Leonard Duka është duke u gjykuar në një proces të ndarë. Si ekzekutor në ngjarje sipas SPAK ka vepruar Fatmir Hyseni i njohur si Doçja, i cili ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Malko u vra për shkak të përplasjes mes klanit Duka dhe Ervis Martinajt, ky i fundit u zhdukur pa gjurmë prej 2022. Ish-polici Malko ishte një nga njerëzit më të besuar të Martinajt.