Katër persona të dyshuar për përfshirje në dy vrasje të ndodhura brenda pak orësh në Bruksel, më 12 tetor 2026, janë dorëzuar në duart e autoriteteve belge, pasi u arrestuan në Spanjë dhe Francë. Bëhet fjalë për ekzekutimin e një shtetasi shqiptar pranë Parlamentit Evropian dhe vrasjen e efektivit të policisë belge, Nordine El Talbi.
Sipas mediave belge, hetuesit dyshojnë se pas të dyja krimeve qëndron i njëjti grup kriminal, i cili dyshohet se ka lidhje me rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike.
Ngjarja e parë u regjistrua rreth orës 17:50 të 12 tetorit, në rrugën Wiertz, në lagjen Elsene, vetëm pak metra larg Parlamentit Evropian. Një shtetas shqiptar u qëllua me breshëri armësh brenda hollit të një ndërtese banimi, duke marrë shtatë deri në tetë plumba në pjesën e gjoksit.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, shqiptari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Hetuesit po shqyrtojnë pistën e një atentati të porositur, të lidhur me konfliktet mes grupeve kriminale që veprojnë në trafikun e drogës.
Por seria e ngjarjeve të rënda nuk përfundoi me ekzekutimin e shqiptarit. Vetëm disa orë më vonë, në lagjen Jette të Brukselit, u vra edhe polici belg Nordine El Talbi, 41 vjeç.
Efektivi ishte angazhuar në një operacion për lokalizimin e një automjeti Volkswagen T-Cross, i cili ishte grabitur më herët gjatë një sulmi të dhunshëm në Tubize.
Pasi automjeti u identifikua, El Talbi iu afrua për të kryer kontrollin, por personat që ndodheshin brenda tij dyshohet se hapën zjarr. Një prej plumbave e goditi efektivin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas dy vrasjeve, personat e dyshuar u larguan nga territori belg, duke u shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës.
Tre prej tyre u lokalizuan dhe u arrestuan në Almería të Spanjës, ku, sipas hetuesve, dyshohet se po përgatiteshin të udhëtonin drejt Marokut. I dyshuari i katërt u arrestua në një stacion hekurudhor në Paris. Mes katër personave të ndaluar ndodhet edhe një i mitur.
Të gjithë janë dorëzuar tashmë te autoritetet belge për t’u përballur me procedurat hetimore dhe gjyqësore.
Në kuadër të hetimeve, policia belge ka arrestuar edhe dy persona të tjerë në Bruksel, të dyshuar për lidhje me ngjarjet. Njëri prej tyre është liruar për mungesë provash, ndërsa tjetri vijon të mbahet në paraburgim.
Sipas autoriteteve, personat nën hetim janë banorë të Brukselit dhe dyshohet se kanë lidhje me organizata kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
Hetimet mbeten të hapura, ndërsa autoritetet belge po punojnë për të përcaktuar nëse dy vrasjet ishin pjesë e një plani të përbashkët kriminal, si dhe për të zbardhur rolin e secilit prej personave të dyshuar.
