Autoritetet belg kanë publikuar imazhet e autorit të dyshuar, të vrasjes së shqiptarit Augustin Kaza në Bruksel, më 28 prill 2024. Ky është personi i tretë i shpallur në kërkim, që dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin ku u vra shqiptari.
Pas publikimit të pamjeve të autorit të dyshuar të krimit në maj të këtij viti, një person me kostum të errët me vijë të kuqe, logo të bardhë në gjoks, kapuç dhe kapelë, që u largua në këmbë duke çaluar, autoritetet belge lëshuan më vonë dhe një urdhër kërkimi për një person të dytë. Ky person thuhet se ishte një burrë rreth 1.80 metra i gjatë, me fytyrë të dobët, flokë të errët, mustaqe, i veshur me xhaketë të zezë me kapuç dhe xhinse gri të errëta.
Së fundmi, hetuesit janë në kërkim të personit të tretë, i cili përshkruhet si burrë me trup të shëndoshë, i veshur me bluzë me kapuç të zi, kapelë të zezë, dhe xhinse gri të errëta. Roli i tij i saktë në ngjarje nuk është bërë ende publik.
Viktima Augustin Kaza u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte ulur në tarracën e kafenesë “Xhoni” në rrugën “Joseph Brand” të kryeqytetit belg. Ai u godit në gjoks e kokë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë në spital më 6 maj 2024. Sipas burimeve të medias belge Sudinfo, ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një larjeje hesapesh.
Policia belge u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacione rreth kësaj ngjarjeje apo identitetit të personit të tretë të kontaktojnë menjëherë autoritetet.