Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 24-vjeçarit shqiptar, Nurian Dalipaj, i cili u qëllua për vdekje me thikë në Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 3 gushtit në provincën e Cremonës, ndërsa autor i dyshuar është 32-vjeçari Mattia Miraglia.
Sipas mediave italiane dhe rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, konflikti nisi në një bar ku punon ish-partnerja e Miraglias. Rreth orës 23:00, 32-vjeçari mbërriti në lokal dhe pa të renë duke biseduar me Nurian Dalipajn, të cilin ajo e kishte mik prej vitesh, si edhe me një person tjetër.
Hetuesit dyshojnë se Miraglia i kërkoi shqiptarit të dilte jashtë lokalit për të sqaruar situatën. Fillimisht mes tyre pati një debat verbal, i cili më pas degjeneroi në përplasje fizike. Personat që ndodheshin aty ndërhynë për t’i ndarë, ndërsa Miraglia u largua me automjet drejt banesës së tij në Vescovato.
Pak kohë më vonë, para shtëpisë së 32-vjeçarit mbërriti Nurian Dalipaj së bashku me dy vëllezërit e tij. Sipas hetimeve, Miraglia zbriti nga banesa i armatosur me një thikë kuzhine dhe u kërkoi të largoheshin. Situata doli sërish jashtë kontrollit dhe konflikti përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.
Si pasojë e goditjeve, Nurian Dalipaj u plagos rëndë në fyt. Ai dhe vëllai i tij 20-vjeçar u transportuan me urgjencë në Spitalin Maggiore të Cremonës, por 24-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Vëllai i tij iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në terapi intensive, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, dy persona të afërt me autorin kanë deklaruar për mediat italiane se konflikti kishte nisur prej kohësh dhe kishte në qendër një vajzë me të cilën të dy kishin pasur një lidhje.
“Nuk e kishim imagjinuar kurrë se do të përfundonte në këtë mënyrë. Edhe rreth një muaj më parë kishte pasur tensione dhe Dalipaj kishte shkuar pranë shtëpisë së Mattias. Atëherë ai njoftoi karabinierët. Këtë herë duhej të kishte bërë të njëjtën gjë, por nuk e dimë çfarë ndodhi. Ishte një situatë që zgjaste prej kohësh. Mattia ishte ndier i provokuar”, kanë deklaruar ata.
Aktualisht, Mattia Miraglia ndodhet i shtruar në Spitalin Maggiore nën mbikëqyrjen e policisë. Ai është arrestuar dhe po hetohet për veprat penale të vrasjes dhe tentativës për vrasje, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
