Që në momentet e para, hetuesit dyshuan se vdekja e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku nuk ishte pasojë e një aksidenti. Trupi i tij u gjet në apartamentin në rrugën Verolengo, në Torino, me plagë të rënda në kokë.

Pas muajsh hetimesh, çështja ka marrë një kthesë të fortë. Karabinierët kanë ekzekutuar dy urdhërarreste për vrasje të vullnetshme ndaj bashkëshortes së viktimës, 45-vjeçares Laura Bordello, dhe 52-vjeçarit Duccio Fragiacomo, i cili dyshohet se ishte partneri i saj i ri.

Sipas rindërtimit të hetuesve, dy të dyshuarit janë njohur në prill, në një qendër kujdesi në San Maurizio Canavese, ku ndodheshin të dy të shtruar. Marrëdhënia mes tyre nisi në pranverë dhe, sipas akuzës, në muajin maj ata nisën të planifikonin eliminimin e Rrokut.

Vrasja dyshohet se është kryer rreth mesditës së 30 qershorit. Viktima besohet se është goditur disa herë në kokë me një objekt të fortë, që hetuesit dyshojnë se mund të ketë qenë një çekiç. Arma e krimit nuk është gjetur, ndërsa mungojnë edhe dy telefonat celularë të 55-vjeçarit.

Autopsia dhe analizat e gjurmëve të gjakut të gjetura në kuzhinë dhe në banjë kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë skenën e krimit. Sipas tyre, sulmi ka nisur nga pas dhe ka vijuar edhe pasi Rroku kishte humbur ndjenjat.

Motivi i dyshuar lidhet me banesën sociale ku jetonte viktima. Sipas hetimeve, gruaja dëshironte të merrte apartamentin dhe të jetonte aty me partnerin e saj të ri.

“Dëshira e gruas ishte të merrte apartamentin social të caktuar bashkëshortit dhe të jetonte aty me partnerin e ri”, deklaroi koloneli Diego Berlingieri, komandant i njësisë operative të Karabinierëve të Torinos.

Hetuesit dyshojnë se çifti kishte menduar edhe skenarë të tjerë përpara se të vendoste për vrasjen. Një prej tyre ishte të sajonin një denoncim për keqtrajtim ndaj viktimës.

Përgjimet dhe analizimi i telefonave të dy të dyshuarve kanë nxjerrë, sipas hetuesve, prova që lidhen me përgatitjen e krimit. Në një bisedë online me një mikeshë, Bordello dyshohet se kishte shkruar: “Dua të vras Momon, nuk e duroj dot më.”

Fillimisht, çifti dyshohet se kishte shqyrtuar mundësinë e vrasjes me thikë në një park. Fragiacomo ishte paraqitur i armatosur dhe me doreza metalike, por plani nuk ishte realizuar.

Më pas, ata dyshohet se kishin shqyrtuar edhe helmimin. Në kuadër të hetimeve është evidentuar edhe një kërkim në ChatGPT, ku thuhet se ishte pyetur: “Sa mililitra metadon nevojiten për të vrarë një burrë 56-vjeçar, me peshë 120 kilogramë?”

Në fund, sipas rindërtimit të prokurorisë, çifti vendosi të shkonte në apartamentin e Rrokut me pretekstin se do të merrte rroba dhe sende personale. Aty, viktima dyshohet se u sulmua me goditje të shumta në kokë.

Kur kuptuan se hetuesit po afroheshin, dy të dyshuarit nisën të mendonin edhe për arratisjen. Mes destinacioneve të shqyrtuara dyshohet se ishin Kanadaja dhe vende të tjera të Amerikës së Veriut pa marrëveshje ekstradimi me Italinë.

Plani, megjithatë, nuk u realizua. Laura Bordello dhe Duccio Fragiacomo u arrestuan mëngjesin e së martës, 6 tetor, duke i dhënë një tjetër kthesë hetimit për vrasjen e shqiptarit në Torino.