Hetimet për vrasjen makabre të 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili në zonën e pyllëzuar të Skurtës së Vojotisë kanë marrë një kthesë të re, pasi policia greke po shqyrton mundësinë e një ngatërrimi identiteti. I riu, i cili u gjet i djegur dhe i pajetë pas zhdukjes më 4 nëntor, u identifikua vetëm përmes analizës së ADN-së.

Një nga pistat kryesore të hetimit është se autorët mund ta kenë ngatërruar Halilin me një tjetër shqiptar me të njëjtin emër dhe mbiemër, i njohur për përfshirje në aktivitete kriminale. Sipas hetuesve, të dy personat kanë ngjashmëri fizike dhe të njëjtin identitet nominativ, ndërsa viktima nuk ka pasur asnjë precedent penal.

Një tjetër drejtim hetimor lidhet me një konflikt të mundshëm me ish-partnerin e të dashurës së tij, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar më herët. Po ashtu, policia po verifikon një kontakt të dyshimtë në rrjetet sociale, pasi 27-vjeçari kishte komunikuar prej muajsh me një vajzë dhe mund të ketë shkuar ta takonte ditën kur u zhduk.

Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar telefonat e viktimës dhe të familjarëve, ndërsa po analizohen mesazhet në TikTok dhe platformat e tjera, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë, për të rindërtuar itinerarin e tij.

Gjetja e një fragmenti plumbi në trupin e viktimës ka forcuar dyshimet se kemi të bëjmë me një ekzekutim të kryer nga persona me eksperiencë kriminale, të cilët më pas kanë tentuar të eliminojnë gjurmët duke djegur trupin.

Hetimet po vijojnë me intensitet dhe autoritetet greke pritet të bëjnë publike informacione të reja në ditët në vijim.