Ngjarja e rëndë e regjistruar këtë të diel në Sarandë, ku një 44-vjeçar u vra me armë zjarri dhe një kalimtar 73-vjeçar mbeti i plagosur, ka sjellë reagimin e drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skender Hita, zhvilloi një analizë me strukturat e Komisariatit të Sarandës, ku kërkoi intensifikimin e punës hetimore jo vetëm për zbardhjen e atentatit të sotëm, por edhe për ngjarje kriminale të pazgjidhura të viteve të mëparshme.

Në fokus të analizës ishte situata kriminale në zonë. Hita kërkoi që strukturat vendore të bëjnë një evidentim të plotë të konflikteve ekzistuese, pavarësisht shkallës së tyre, si dhe të personave me precedentë penalë dhe individëve të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Vëmendje, sipas tij, duhet t’i kushtohet si kontingjentit që vepron në Sarandë, ashtu edhe personave që lëvizin në mënyrë të vazhdueshme në zonë.

Me përfundimin e sezonit turistik, kreu i Policisë paralajmëroi një zhvendosje të fokusit drejt hetimeve dhe goditjes së kriminalitetit. Ai kërkoi evidentimin e aktiviteteve të paligjshme dhe ndërhyrje ndaj grupeve kriminale që veprojnë në qytet.

Hita bëri të ditur gjithashtu se strukturat vendore do të përforcohen me personel dhe mjete logjistike, ndërsa parashikohet ngritja e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar. Nga efektivët aktualë, ai kërkoi reagim profesional dhe angazhim maksimal.

Ndërkohë, operacioni për zbardhjen e vrasjes vijon në terren. Policia po kryen kontrolle në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës, duke përdorur edhe dronë.

Paralelisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledh dhe administron prova që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të krimit dhe identifikimin e personave të përfshirë.