Vrasja e të dënuarit Antonis Papadatos, e ndodhur pasditen e së enjtes brenda Burgut të Domokosit, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për nivelin e sigurisë në një prej institucioneve penitenciare që konsiderohet ndër më të fortifikuarat në Greqi.

Ngjarja po hetohet nga strukturat speciale të hetimit të vrasjeve pranë Drejtorisë së Luftës kundër Krimit të Organizuar, ndërsa fokusi kryesor i hetimeve është mënyra se si një armë zjarri arriti të futej në ambientet e brendshme të burgut dhe rrethanat që çuan disa të burgosur me rrezikshmëri të lartë të ndodheshin në të njëjtin vend me drejtuesin e sigurisë së institucionit.

Sipas mediave greke, Papadatos, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një biznesmeni në Zakynthos, dyshohet se ishte i armatosur dhe kishte hyrë në ambient me qëllim përballjen me shefin e rojeve. Në të njëjtën hapësirë ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë të profilit të lartë kriminal: një shtetas bullgar, i dënuar për vrasjen e biznesmenit Yannis Makris në vitin 2018 në zonën e Voulas, si dhe shqiptari Alket Rizai, i njohur për arratisjet spektakolare nga burgu i Korydallos, të organizuara nga Vasilis Paleokostas.

Sipas deklarimeve paraprake, gjatë përplasjes, i burgosuri bullgar arriti t’i marrë armën Papadatosit dhe më pas e qëlloi, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Autoritetet tashmë po shqyrtojnë disa pikëpyetje kyçe: si u fut arma në një institucion të sigurisë së lartë, përse të burgosurit nuk ndodheshin në qelitë e tyre në orarin e parashikuar dhe si arriti viktima të kalonte disa pika kontrolli që hapen vetëm nga personeli i sigurisë. Po ashtu, mungesa e kamerave në zonën ku ndodhi krimi, ndonëse korridoret përreth monitorohen, ka ngritur dyshime shtesë mbi protokollet e sigurisë.

Burime nga autoritetet bëjnë të ditur se drejtuesi i policisë së burgut ndodhej në proces largimi nga detyra pas kërkesës së Sekretariatit të Përgjithshëm për Politikën Kundër Krimit, ndërkohë që pasardhësi i tij ende nuk ishte caktuar. Çështja është marrë në shqyrtim nga prokuroria e krimit të organizuar, ndërsa në radhët e Policisë Helenike situata përshkruhet e tensionuar, pasi ngjarja shihet si një sinjal alarmi për dobësi serioze në sistemin penitenciar.

Në të njëjtën kohë, Ministria kompetente ka nisur procedurat për përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë në burgje, duke planifikuar investime rreth 4 milionë euro për pajisje moderne kontrolli dhe sisteme elektronike, me synim parandalimin e futjes së armëve, drogës dhe sendeve të tjera të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Tenderi për këtë projekt aktualisht ndodhet në proces zhvillimi.