Rikthehen hetimet në vendin e krimit në fshatin Bulgarec të Korçës, ku pak ditë më parë u gjet i pajetë 78-vjeçari Gëzim Vija.
Burimet bëjnë me dije se ekspertët kriminalistë kanë rrethuar sërish zonën dhe po kryejnë veprime të detajuara hetimore brenda banesës së viktimës, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Pjesë e hetimeve është bërë edhe një automjet i parkuar jashtë banesës, ku po kryhen verifikime të mëtejshme.
Trupi i pajetë i të moshuarit u zbulua mëngjesin e së enjtes nga një punonjës i postës, i cili shpërndan pensionet në zonë. Pasi nuk mori përgjigje nga 78-vjeçari, ai njoftoi fqinjët dhe më pas u hap dera e banesës, ku në një prej dhomave u gjet viktima pa shenja jete.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 78-vjeçari kishte një plagë të rëndë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, që dyshohet se i ka marrë jetën. Hetimet paraprake sugjerojnë se mes viktimës dhe autorit mund të ketë pasur përplasje fizike përpara aktit fatal.
Ndërkohë, policia vijon marrjen në pyetje të familjarëve dhe të afërmve të viktimës, por deri tani dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorit. Hetimet janë ende në vijim.
