Ngjarja tragjike që i mori jetën 20-vjeçarit shqiptar Gent Maksutaj ka shkaktuar tronditje në Suedi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të krimit. Ndërkohë, mediat suedeze kanë publikuar detaje nga jeta e të riut, i cili kishte ëndrra të mëdha për të ardhmen.

Sipas raportimeve, Genti ishte diplomuar së fundmi dhe synonte të vazhdonte rrugën e tij profesionale në fushën e arkitekturës. Të afërmit dhe miqtë e përshkruajnë si një djalë punëtor, të qetë dhe të përkushtuar ndaj studimeve, me ambicie për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.

20-vjeçari u vra mbrëmjen e së dielës në lagjen Kvarngärdet, në qytetin e Uppsalës. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ai të mos ketë qenë objektivi i sulmit, por një kalimtar i pafat që u gjend në vendin e gabuar në momentin kur shpërthyen të shtënat, të cilat dyshohet se lidhen me konfliktet mes grupeve kriminale.

Vdekja e tij ka prekur jo vetëm familjen dhe miqtë, por edhe komunitetin shqiptar në Suedi, ku shumë persona kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen e të riut.

Ndërkohë, policia suedeze ka ndaluar një 18-vjeçar si të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Pavarësisht arrestimit, motivi i krimit dhe rrethanat e sakta të vrasjes mbeten ende objekt hetimi.