Vendimi i marrë pak ditë më parë nga ana e Mitropolisë Katolike të Shkodrës, Sapës dhe Lezhës lidhur me çkishërimin dhe mallkimin e katolikëve shqiptarë që kryejnë vrasje në emër të gjakmarrjes është konkretizuar për herë të parë me vrasësin mizor të tre anëtarëve të së njëjtës familje pak ditë më parë në fshatin Blinisht të Lezhës, Kastriot Zhuba.
Ceremonia e përcjelljes së tre anëtareve të familjes Shtjefni, Rok, Miranda dhe Fatjon ditën e djeshme është shoqëruar me praninë e disa priftërinjve, të cilët kanë lexuar pjesë nga Bibla që flasin kundër krimit dhe kriminelëve, duke bërë në këtë mënyrë edhe çkishërimin e 47-vjeçarit Zhuba, i cili disa ditë më parë shfarosi një familje të tërë.
Ndërkohë, policia ka zbardhur edhe rrethanat e ngjarjes makabre të pak ditëve më parë në fshatin Blinisht të Lezhës, shkak i së cilës sipas policisë është bërë fillimisht përplasja me makinë e djalit të familjes Shtjefni, Fajtonit nga 47-vjeçari Kastriot Zhuba. Pas kësaj, dy prindërit, Rok dhe Miranda si dhe djali i tyre, Fatjoni kanë shkuar në shtëpinë e Zhubës, fqinj i tyre, për t’u sqaruar në lidhje me ngjarjen. Por 47-vjeçari, në gjendje të dehur, ka zbrazur automatikun mbi tre anëtarët e së njëjtës familje duke i lënë të vdekur nga plagët e shumta me armë zjarri.
Ndërkohë, policia vijon të jetë në ndjekje të vrasësit, që rezulton ende i lirë, dhe ka vënë një shpërblim prej 10 mln lekësh për këdo që jep informacione në lidhje me vendndodhjen e tij.
27 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)