Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, duke e cilësuar ngjarjen si një akt që ngre pikëpyetje serioze mbi lidhjet mes krimit dhe shtetit.
Në konferencë me gazetarët Berisha e cilësoi ngjarjen si “pothuaj vrasje shtetërore”, duke sqaruar se nuk nënkupton që i riu është ekzekutuar nga persona me uniformë, por se industria turistike në Sarandë dhe Ksamil është nën ndikimin e krimit.
“Vrasja e 20 vjecarit turistit portugez në Ksamil është një akt, sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore. E them këtë në kuptimin jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin se e vërteta, industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit.
Në Sarandë shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston. Në Sarandë dhe jo vetëm flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj., e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës.
Në plazhet e pushtuara ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të dominuar nga të fortit që shesin shezlonge qindra euro”, tha Berisha.
Berisha tha se në ngjarje kanë qenë të përfshirë edhe tre punonjës me uniformë, të cilët kishin detyrimin të parandalonin krimin.
“Por vrasja e portugezit ka një karakter konkret shtetëror. Në këtë akt makabër erdhi të bëjë pushimet tek ne ai, dhe tani përcillet me arkivol. Në këtë akt makabër bashkëpunëtor ishin tre punonjës me uniformë. Kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit të rojeve të sigurisë në këto lokale. Në vend që ta parandalonin krimin e fshehën për orë të tëra. Hetimi do tregojë se ndoshta edhe morën pjesë në masakrimin e 20 vjecarit portugez”, deklaroi kreu i PD.
