Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës. Pas identifikimit të tij, uniformat blu kanë intensifikuar kontrollet në terren për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Në disa pika janë ngritur postblloqe policie, ndërsa po kontrollohen akset rrugore dhe zonat përreth, me qëllim parandalimin e largimit të autorit të dyshuar.
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor po mbledh pamjet e kamerave të sigurisë nga bizneset dhe banesat pranë vendit të ngjarjes. Këto materiale pritet të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas krimit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se autori e ka ndjekur 20-vjeçarin, i cili nuk ishte banor i zonës, deri në një pallat ku ai kishte tentuar të fshihej. Aty dyshohet se autori e ka qëlluar me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Ndërkohë, Policia vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Një nga pistat kryesore të hetimit mbetet përcaktimi i motivit të vrasjes dhe verifikimi nëse mes viktimës dhe autorit të dyshuar ka pasur më herët konflikte apo përplasje.
