Tiranë
Dëshmitari ka ndryshuar disa herë thëniet para policisë gjyqësore
Familjarët e Saimir Zizës, 28-vjeçari i cili u vra mbrëmjen e së premtes, dyshojnë se kushëriri i nuses së viktimës ka dijeni për ngjarjen, ose është i përfshirë. Sipas motrës së viktimës, personi në fjalë ka ndryshuar disa herë dëshminë e tij, në lidhje me vrasje. Fillimisht ai thotë se ka mundur që të identifikojë autorët e krimit dhe më pas e mohon një fakt të tillë. Gjithashtu dëshmitari u ka thënë familjarëve të viktimës së autorët e krimit kishin dialekt dibran dhe më pas e hedh poshtë një fakt të tillë. Mjaft të dyshimta janë dëshmitë që kushëriri i nuses thotë vazhdimisht. Ai flet edhe për numrin e personave që morën pjesë në vrasjen e Zizës, duke u shprehur se në vrasje kanë marrë pjesë dy persona dhe më pas e hedh poshtë dëshminë, duke thënë se ka parë vetëm një person. Në lidhje me përfshirjen e Fredi Çengës, ai sërish është i lëkundur, i cili e mohon përfshirjen e tij në vrasje dhe njëkohësisht pretendon se Cenga ka marrë pjesë në krim. Këto deklarata kanë shqetësuar familjarët e Saimir Zizës, të cilët kërkojnë me çdo kusht që të zbardhet e vërteta. Vrasja e të riut në pragun e shtëpisë është e veshur me mister dhe ata apelojnë që policia të bëjë të pamundurën në zbardhjen e krimit. Saimir Ziza është vëllai i Shpëtim Zizës, i sëmuri mendor që është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, në tetor të vitit 2007, në Peshkopi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në banesën e viktimës, në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se autorët e krimit e kanë thirrur Zizën në emër dhe njëkohësisht kanë trokitur disa herë në derën e jashtme. “O Mir! O Mir!”, kanë qenë thirrjet që vrasësit i kanë bërë 21-vjeçarit. Viktima kur ka dëgjuar emrin e tij, ka dalë te dera për të parë se cilët ishin personat që e kërkonin. Paraprakisht policia dyshon se vrasja ka si motiv hakmarrjen, për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, nga Shpëtim Ziza. Për ngjarjen policia po heton 6 persona të fisit Cenga, të cilët dyshohet se janë përfshirë në krim.