Gjyqi ndaj Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, ka nisur në Gjykatën e Tretë të Krimeve të Rënda në Romë. Ilaria Sula, një studente shqiptare, u vra në mars të këtij viti në apartamentin e Samson në Romë, dhe trupi i saj u vendos në një valixhe e u hodh në një zonë pyjore në periferi të kryeqytetit italian.

Prokurorët e Romës, të koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, kanë ngritur akuzën e vrasjes me dashje me paramendim, me motiv të kotë, si dhe fshehje të kufomës. Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme për të kërkuar dhe miratuar gjykim të menjëhershëm për Samsonin.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm, përveç të pandehurit, edhe familjarët dhe miqtë e Ilaria Sula-s, të cilët mbajnë një foto të saj dhe një mesazh “Drejtësi për Ilarinë”.

Avokati i familjes së viktimës, Giuseppe Sforza, ka deklaruar se po finalizohet pozicioni i nënës së Mark Samson, e cila akuzohet për bashkëpunim në fshehjen e trupit dhe pastrimin e gjakut nga vendi i krimit. Ajo ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje për të pranuar fajësinë, duke kërkuar një dënim prej dy vitesh burg.

“Familja e Ilarias po e përjeton këtë moment me shumë tension dhe trishtim,” tha avokati Sforza. “Ata kërkojnë drejtësi, por janë të vetëdijshëm se asnjë vendim gjykate nuk mund të shuhë dhimbjen që do t’i shoqërojë gjithmonë.”