Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, për tre autorët e dyshuar të vrasjes së Martin Çeços.

Burimet konfirmojnë se tre autorët e dyshuar, Valter Mollaj, kushëriri i tij, Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo, janë liruar nga Gjykata e Apelit pasi kjo e fundit ka konstatuar humbjen e fuqisë së paraburgimit të caktuar në datë 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit maksimal. Rikujtojmë se 26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit në qershor të vitit 2022.

Të tre ata u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila vijon të jetë në burg lidhur me ngjarjen. Kjo e fundit u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.