Policia e Vlorës vijon hetimet intensive për vrasjen e rëndë me eksploziv të 58-vjeçarit Isuf Jaçaj, duke u fokusuar në dy pista kryesore.
Pista kryesore lidhet me një hakmarrje, e lidhur me ngjarjen e 17 korrikut, kur u tentua të vriteshin Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç, të dy nga Kamza, të cilët mbetën të plagosur. Hetimet zbuluan se i biri i viktimës, Klaus Jaçaj, kishte ndihmuar në këtë ngjarje autorët Ramadan Zoton dhe Erjonin, në një konflikt që dyshohet të ketë nisur për përdorimin e një hapësire plazhi me qira.
Më 21 korrik, në oborrin e Klaus Jaçajt shpërtheu një eksploziv që dëmtoi makinën e tij, por edhe pse disa prej të dyshuarve ndodhen në burg, konfliktet mbeten të pazgjidhura.
Pista tjetër që po hetohet lidhet me aktivitetet e Isuf Jaçajt në trafikun e lëndëve narkotike, pasi viktima rezulton e përfshirë në këtë fushë.
Ekspertiza ka konfirmuar se eksplozivi ishte fshehur në kamionin e makinës dhe u aktivizua përmes një thirrjeje telefonike. Policia po analizojnë të dhënat e qelizave telefonike në zonë në momentin e shpërthimit dhe po kontrollojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të zbuluar momentin kur lënda plasëse u vendos.
Dyshohet se viktima është vëzhguar nga një person që aktivizoi shpërthimin sapo ai u largua nga një lokal dhe u ul në makinë.