Vendimi


Gjykata shpall fajtor Mirush Ajazin, theri Napoleon Mustafën pas sherrit për muzikën 


Viktima Napolon MustafaGjykata e Tiranës ka dënuar më 10 vjet e 8 muaj heqje lirie ish-shoferin e autobusit të linjës Tiranë-Kamzë, 36-vjeçarin Mirush Ajazi. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e pasagjerit 17-vjeçar Napolon Mustafa, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 16 shtatorit të vitit të kaluar. Shoferi i autobusit është shpallur fajtor për dy vepra penale, vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, e llojit thikë. Në bazë të kësaj, trupi gjykues e ka dënuar me 16 vjet burg, por fakti që i pandehuri ka pranuar gjykimin e shkurtuar, i është ulur 1/3 e dënimit, duke u dënuar vetëm më 10.8 vjet. Prova materiale, një thikë me dorë peçikllasi, me gjatësi të përgjithshme tehu 15.5 cm, me të cilën u krye vrasja, është urdhëruar që të asgjësohet. Gjatë seancave gjyqësore, 36-vjeçari do të shprehej se nuk kishte asnjë qëllim që ta vriste të riun, por synimi ishte që ta trembte. Ajazi ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë, por pavarësisht kësaj, ai duhet të vuajë dënimin për një kohë të gjatë në burg. Burimet thonë se vrasësi do të arrestohej në flagrancë, vetëm pak minuta pas goditjes me thikë, mbi adoleshentin. Krimi ndodhi në prani të shumë dëshmitarëve, pasagjerë në autobusin e linjës Tiranë-Kamzë. Ngjarja ka shkaktuar panik tek qytetarët, por pavarësisht kësaj kanë bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Dëshmitarët kanë ndihmuar policinë në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e vrasjes. Napolon Mustafa mbeti viktimë e një sherri banal të zhvilluar mes atij dhe shoferit të autobusit. I riu ishte duke udhëtuar nga Tirana, drejt Kamzës, së bashku me shokët dhe vëllanë e vogël. “Molla” e sherrit mes palëve ka qenë muzika në celular. Fillimisht palët janë konfliktuar me fjalë fyese dhe më pas situata ka degjeneruar deri në sulmin me thikë mbi 17-vjeçarin. Mësohet së Ajazi ka qëlluar për vdekje katër herë në trupin e adoleshentit. Agonia e Mustafës nuk zgjati shumë, i cili humbi jetën vetëm pak minuta pas sulmit. Ndonëse qytetarët dhe shokët kanë tentuar që t’i jepnin ndihmën në kohë, ka qenë e kotë, pasi plagët ishin të thella. Dëshmitarët kanë thënë para grupit hetimor se Mirush Ajazi, pas vrasjes së pasagjerit, me gjakftohtësinë më të madhe, e ka futur thikën në brez, e cila është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Arma e krimit dhe prova të tjera të pakundërshtueshme do të “fundosnin” vrasësin para trupit gjykues, duke e dënuar më 10.8 vjet heqje lirie. Ky nuk është rasti i vetëm, që në ambientet e linjave të transportit ndërqytetës ndodhin ngjarje kaq të rënda. Më 25 nëntor 2012, katër pasagjerë qëllojnë për vdekje mbi faturinon e furgonit, 17-vjeçarin Julian Çuni. Ngjarja ndodhi pranë zonës së quajtur “Zogu i Zi”, Tiranë, dhe motivi i sherrit ishte për një biletë 150 lekëshe. Në shkurt të 2013-s, në autobusin e linjës Shkozë-Tiranë mbeti i vrarë me thikë 22-vjeçari Sajmir Çedja. I riu u konfliktua me dy persona në gjendje të dehur, për fjalorin banal që përdornin autorët e krimit në prani të vajzave. Ndërsa dy ditë më parë një pasagjer, në moshë të mitur, ka plagosur me gërshërë drejtuesin dhe faturinon e linjës së Unazës. Tri ngjarjet e fundit nuk janë zbardhur tërësisht dhe familjarët e të dëmtuarve kërkojnë zbardhjet e ngjarjeve.