Një ngjarje tragjike ka tronditur këtë të enjte qytetin e Roskovecit, ku një 80-vjeçar, Shefit Rrapaj, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Atmosfera në banesën e çiftit ka qenë tejet e rënduar, ndërsa gjatë nxjerrjes së trupit të së ndjerës janë shënuar skena të forta emocionale dhe tensione mes familjarëve, kryesisht nga të afërmit e viktimës. Motra e saj është dërguar me urgjencë në Spitalin e Fierit, pasi ka pësuar rëndim të gjendjes psikologjike dhe shëndetësore.

Banorë të zonës kanë pohuar se situata mund të ketë pasur shenja paralajmëruese, duke përmendur një konflikt të ndodhur mes bashkëshortëve vetëm pak ditë më parë. Megjithatë, fqinjë të tjerë i kanë përshkruar të moshuarit si persona të respektuar në komunitet dhe pa probleme të dukshme. Sipas tyre, çifti jetonte i vetëm, ndërsa nëntë fëmijët e tyre ndodheshin në emigracion.

Në zonë qarkullojnë edhe dyshime se tensionet familjare mund të kenë lidhje me kthimin e fundit nga Greqia të djalit më të vogël të çiftit, por këto mbeten ende të pakonfirmuara zyrtarisht.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.