Filip Shehu, 41 vjeç, autor i vrasjes së kolegut të tij Indrit Ismaillari, 34 vjeç, ka dhënë një dëshmi të re për ngjarjen tragjike që ndodhi në një restorant në zonën e Komunës së Parisit. Ai ka deklaruar se konflikti që çoi në vrasje ishte i çastit dhe i lidhur me një mosmarrëveshje për punën, por ka shtuar se marrëdhëniet mes tij dhe viktimës kanë qenë konfliktuale për një periudhë të gjatë.

Në dëshminë e tij, Shehu ka thënë se ka pasur një ndjenjë të kërcënimit nga Ismaillari dhe ka shtuar se ata kishin pasur grindje të vazhdueshme, të cilat përfunduan tragjikisht në një incident të papritur. Viktima prej 5 vitesh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej disa muajsh.

Nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.

Sipas informacioneve të dhëna dhe dëshmive të stafit, ngjarja ka filluar për një pjatë me proshutë. Shehu kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën Ismaillari e ndaloi dhe i kërkoi që ta lëshonte. Pas këtij momenti tensioni, dy punonjësit kanë nisur një debat verbal që më pas ka eskaluar në dhunë. Filip Shehu ka marrë një thikë dhe e ka goditur Ismaillarin në qafë, duke e plagosur fatale.

Pas ngjarjes, Shehu ka qëndruar i qetë dhe ka pritur policinë, ku është arrestuar menjëherë. Ai ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen. Pavarësisht se ai ka thënë se ka vepruar në gjaknxehtësi, versioni i tij ka ngjallur dyshime te hetuesit, pasi kolegët e viktimës nuk e kanë përshkruar Ismaillarin si një person që mund të provokonte dhunë.

Sipas burimeve të afërta me hetimet, Shehu ka pasur gjithashtu probleme sociale dhe familjare, dhe ka jetuar i vetëm për muaj të tërë. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar më mirë arsyet që çuan në këtë tragjedi.