Forcat RENEA kanë zgjeruar kërkimet për kapjen e Kristjan Sterjos, personit të shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë.
Në kuadër të operacionit, efektivët e forcave speciale kanë nisur kontrolle në varrezat e qytetit, pasi dyshohet se Sterjo mund të jetë fshehur në këtë zonë pasi u largua nga vendi i ngjarjes.
Kontrollet po zhvillohen brenda varrezave dhe në hapësirat përreth tyre, ndërsa forcat e Policisë vijojnë kërkimet për lokalizimin e të dyshuarit.
Në disa pika të Korçës janë ngritur gjithashtu postblloqe, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit që dyshohet se ka ndjekur autori pas vrasjes.
Operacioni vijon në terren, ndërsa grupi hetimor po punon paralelisht për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
