Detaje të reja janë bërë të ditura për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës.

Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja Dhorjela Çule, viktima dhe autori i dyshuar janë përfshirë në një konflikt pak para ngjarjes. Në vendin e krimit, grupi hetimor ka gjetur një thikë në dorën e 20-vjeçarit, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Prania e thikës po verifikohet nga hetuesit në kuadër të rindërtimit të konfliktit dhe për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në kërkim. Policia ka intensifikuar kontrollet në terren dhe ka ngritur postblloqe në disa zona për të bërë të mundur kapjen e tij.

Grupi hetimor po mbledh prova dhe dëshmi për të përcaktuar se si nisi konflikti mes dy të rinjve, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të vrasjes.