Pas vrasjes në Memaliaj, ku viktimë mbeti 30-vjeçari Endri Goxhaj, Aldo Kalemi dhe dhëndri i tij, Dali Nela, u lanë në “arrest shtëpie” ditën e stome, pas seancës gjyqësore, teksa është zbuluar një pjesë e versionit të tyre.
Në seancën e vlerësimit të arrestit ndaj Aldo Kalemit dhe Dali Nelaj, i cili po ashtu mbeti i plagosur rëndë, prokurorja e çështjes përcolli dinamikën e ngjarjes që ndodhi tre ditë më parë në qytetin e Memaliajt.
Në bazë të pamjeve të sekuestruara nga policia, por edhe nga ajo çfarë është mësuar gjatë hetimeve, bëhet e ditur se sherri ka nisur mes dy personave.
Më pas kanë ndërhyrë personat e arrestuar. Viktima Endri Goxhaj në këtë moment ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të Dali Nelaj duke shkrepur katër plumba.
Pasi Nelaj ka rënë në shesh, në distancë gati prej 2-3 metrash nga ai, kanë qenë dy vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjoldo Nelaj, të cilët, kur kanë parë përtokë të vëllanë e tyre, kanë reaguar duke nxjerrë nga brezi pistoletat dhe kanë qëlluar në drejtim të Endri Goxhajt.
Pas kësaj, dy vëllezërit e Dali Nelajt, Donaldo dhe Marjoldo, kanë marrë me automjetin e tyre të vëllanë e plagosur dhe e kanë çuar me urgjencë në drejtim të Spitalit të Gjirokastrës dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Në fund të provave të servirura, prokurorja Aulona Haxhiraj kërkoi nga gjykatësja Romena Qamo “arrest në shtëpi” për Kalemin dhe Nelajn. Ndërsa gjykatësja Qamo mbështeti propozimin e prokurores Haxhiraj duke dhënë masën e “arrestit në shtëpi”.
Ermal Mataj, i akuzuar për veprën penale të “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i është dhënë masa e “arrestit në shtëpi”.
Ka qenë një masë më lehtësuese se kjo që u dha nga gjykata, që kërkoi avokati i tij mbrojtës Shkëlqim Rabaj për klientin e tij, por gjykatësja Romena Qamo ka dhënë masën e “arrestit shtëpiak”, duke përmbyllur kësisoj seancat e sotme ndaj tre të arrestuarve Dali Nelaj, Aldo Kalemi dhe Ermal Mataj.
Ky i fundit dyshohet se ka fshehur armën me të cilën është kryer krimi. Ndërsa mbeten në arrati dhe në kërkim policor dy vëllezërit e Dali Nelajt, Donaldo dhe Marjoldo Nelaj, të cilët janë larguar në drejtim të paditur që pasi kur lanë të vëllanë e tyre, Dali Nelaj, në spitalin e Gjirokastrës të plagosur rëndë si pasojë e shkrehjes me armë zjarri nga viktima Endri Goxhaj.
