Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti i ndodhur një ditë më parë mes dy fqinjëve, i cili përfundoi tragjikisht me një viktimë.
Ngjarja ka ndodhur mes Eduart Afmatajt dhe Artur Çangut, ku ky i fundit humbi jetën. Sipas hetimeve paraprake, përplasja mes tyre kishte nisur rreth dy vite më parë për çështje pronësie.
Dita e djeshme shënoi përshkallëzimin e konfliktit, pasi Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin në rrugë. Ky veprim ka sjellë reagimin e Afmatajt, i cili pretendonte se makina i bllokonte kalimin.
Debati fillimisht ka qenë verbal, por më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Në këtë moment, Afmataj ka marrë një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar për vdekje fqinjin e tij.
Pas krimit, autori ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Forcat e policisë, të mbërritura në zonë, nuk kanë mundur ta kapin, ndërsa deri tani nuk ka ende një pistë të qartë mbi vendndodhjen e tij.
