Prokuroria ka zbardhur të plotë ngjarjen e rëndë të ndodhur në ambientet e gjykatës së Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e përdorur nga autorit Elvis Shkambi, në bashkëpunim me xhaxhain e tij Gjon Shkambi. Bazuar në pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, autori Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, së bashku me Ervis dhe Ragip Kurtaj kanë hyrë në ambientet e sallës numër 3.
Pas shpalljes së vendimit nga Kalaja, autori i krimit të rëndë, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjykatësit Astrit Kalaja. Pasi si ka lënë të plagosur gjykatësin Kalaja, Elvis Shkambi ka qëlluar disa herë drejt babë e bir Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt. Ata tentuan të largoheshin nga salla, por plumbat kanë prekur pjesë të trupit të tyre. Nga goditja me armë kanë mbetur të plagosur Ervis Kurtaj në krahun e djathtë, ndërsa Ragip Kurtaj është dëmtuar në anën e majtë të brinjëve.
Pas krimit të rëndë ku humbi jetën gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja, policia ka sekuestruar armën e përdorur për kryerjen e krimit nga autori Elvis Shkambi. Polica ka gjetur më vonë edhe automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targë AA900AA, në pronësi të Gjon Shkambit, ku dhe janë gjetur dhe sekuestruar 31 copë fishekë të kalibrit 9 mm.
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës më 6 tetor.