Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka njoftuar bojkotimin e të gjitha proceseve hetimore dhe gjyqësore për çështjet penale, civile dhe administrative në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.

Ky vendim vjen si reagim ndaj ngjarjes tragjike të ditës së kaluar, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës.

VENDIMI

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, përcjell me shumë shqetësim ngjarjen lidhur me vrasjen e Gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Z.Astrit KALAJA, si ngjarja më e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur ndonjeherë në sistemin e drejtësisë.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatise të Shqipërisë vendosi njëzeri që të bojkotoj të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky bojkot është një thirrje për të gjithë opinionin, politikën shqiptare, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe palët ndërgjygjëse, që të angazhohen me përgjegjësinë maksimale për sigurimin e jetës dhe shëndetit, si dhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe avokatëve në ushtrimin e detyrave të tyre në realizimin dhe funksionimin e drejtësisë.

Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij për masat e sigurimit në procesin penal.

Urdhërohen të gjithë kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisq për ekzekutimin e këtij vendimi. 

KRYETARI

Prof. Dr. Maksim HAXHIA