Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e vrasjes së biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili u ekzekutua mbrëmjen e kaluar në Gjashtë, ndërsa mbeti i plagosur edhe Kostandin Vogli.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi në lokalin në pronësi të viktimës, ku disa persona kanë mbërritur dhe janë përfshirë menjëherë në konflikt fizik me persona që ndodheshin në tavolinë bashkë me Ismailin dhe Viktor Ruçi.
Policia bën me dije se në konflikt janë përfshirë shtetasit Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla.
Gjatë përplasjes, sipas policisë, Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt. Më pas, dyshohet se Lulzim Tabaku ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar ndaj Ismailit, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur në këmbë edhe Kostandin Vogli.
Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga vendi i krimit. Hetuesit dyshojnë se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, ka fshehur armën automatike të përdorur gjatë konfliktit, e cila u gjet më pas nga policia së bashku me një krehër me 21 fishekë.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu një automjet tip Audi Q8, fishekë, gëzhoja dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Gjatë kontrolleve në Nivicë u gjet i braktisur motomjeti me të cilin dyshohet se u largua autori i dyshuar, ndërsa në Sarandë u bllokua edhe një automjet tjetër tip Audi që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Policia ka shpallur në kërkim Lulzim Tabaku për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, ndërsa pesë personat e tjerë akuzohen për “Kanosje” dhe “Shkatërrim prone”.
Ndërkohë, ndaj Hajredin Ismailit ka nisur procedimi penal për fshehje të armës së zjarrit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave në kërkim.
