Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike që tronditi Sarandën, ku një përplasje e dhunshme në ambientet e një lokali u mbyll me një viktimë dhe një person të plagosur.

Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve nga Kostandin Vogli, konflikti me Viktor Ruçin kishte zanafillë mosmarrëveshjet për administrimin dhe fitimet e një beach bar-i.

Vogli ka deklaruar se përplasjet mes tyre nisën pasi ai u arrestua dhe, gjatë kohës që vuante dënimin, Ruçi kishte larguar nga biznesi vëllain e tij. Sipas tij, ky veprim solli tensione të vazhdueshme mes palëve, të lidhura kryesisht me ndarjen e të ardhurave të aktivitetit.

“Në kohën kur ndodhesha në burg, ai largoi vëllain tim nga biznesi dhe aty nisën konfliktet për paratë,” mësohet të ketë thënë i plagosuri në dëshminë e tij.

Ai ka treguar gjithashtu se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja kishte shkuar në lokalin ku ndodheshin personat e përfshirë me qëllim për të sqaruar situatën, por debati degradoi në dhunë.

Nga përplasja e ndodhur në lokalin në pronësi të Rexhep Ismailit, ky i fundit humbi jetën, ndërsa Kostandin Vogli mbeti i plagosur. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.