Një banor i Manzës ka treguar për gazetarët se ngjarja tragjike që ndodhi në këtë zonë e ka tronditur shumë. Ai ka pohuar se njërin prej viktimave, Aranit Kurtin, e kishte kushëri dhe se e njohu si një djalë të mirë.
“Na ka tronditur, por tani ndodhi. S’ke ça bën. I njihja. Njëri ishte kushëri. E kam marrë vesh nga televizori. E kam pasur kushëri Aranit Kurtin, ishte djalë i mirë”, ka thënë ai, duke theksuar se ngjarja e ka lënë të shokuar.
Ngjarja ka ndodhur në një karburant të Manzës, ku punonjësi i këtij karburanti ka treguar se kur kishte shkuar në punë në mëngjes, kishte gjetur vendin të rrethuar dhe të shënjuar me shirita, duke e kuptuar se ishte një skenë krimi.
Ai shtoi se ishte informuar nga kolegët se kishte ndodhur një ngjarje, por nuk kishte shumë informacion mbi detajet e incidentit. “Erdha në mëngjes. Gjeta karburantin e rrethuar, ishte vendosur shirit; skenë krimi. Më thanë se ka ndodhur një ngjarje, mos u afro. Njëri ishte nga Manza, por se njoh. Djemtë ishin të sjellshëm. Nuk e di tamam se çfarë ka ndodhur”, tha punonjësi i karburantit.