Masa


Pranohet prova në kapele për të dyshuarin e vrasjes së Fatbardha Tafës


Aldo Hoxha ne gjykate


Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në burg Aldo Hoxhën, i akuzuar për vrasjen e 7 gushtit në Tiranë të Fatbardha Tafës, në afërsi të ish-Fushës së Aviacionit. Viktima po udhëtonte së bashku me motrën e saj, Lumturi Gjana, kur janë sulmuar nga dy të rinj, që kanë tentuar t’i marrin varësen e floririt. Fatbardha ka reaguar, madje për një çast ka neutralizuar autorin, duke e vendosur pas murit, por në këtë moment është qëlluar nga autori tjetër me thikë. Pas ngjarjes, u kryen një tur shoqërimesh dhe ballafaqimesh, por autori nuk u zbulua. Disa ditë më vonë, grupi hetimor gjeti një provë në një kapele, e cila u zbulua rastësisht nga një dëshmitare. Ajo e dorëzoi në polici dhe pas ekzaminimeve, në këtë provë u gjet një fije floku. Sipas verifikimeve, fija e flokut i përkiste të dyshuarit Aldo Hoxha, që u arrestua me akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen. Gjatë zhvillimit të masës së sigurisë në Shkallën e Parë, Hoxha pretendoi se nuk ishte ai vrasësi i Fatbardhës, dhe gjithçka ishte një ngatërresë. Megjithatë, prokuroria këmbënguli se ka prova shkencore që vërtetojnë krimin ndaj tij. Avokati i tij, Arben Qeleshi, ankimoi vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se gjithçka ishte e montuar se dhe policia e prokuroria nuk kanë asnjë provë. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Apelit, prokurori Genti Xholi i kërkoi gjykatës sërish lënien e 21-vjeçarit me masën e sigurisë arrest me burg, pasi ka dyshime të forta se është autor i vrasjes së 7 gushtit. Më pas, avokati Qeleshi kërkoi një masë më të lehtë, pasi, sipas tij, provat nuk janë të sakta. Në fund, gjykata pranoi pretendimet e prokurorisë, duke lënë në burg Aldo Hoxhën deri në përfundim të hetimeve. s.çobo