Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mesditën e djeshme ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra në tempullin e drejtësisë, pikërisht në vendin e tij të punës, Gjykata e Apelit ka marrë vendimin sot për të anuluar të gjitha seancat deri në fund të javës.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Gjykata e Apelit ka bojkotuar gjyqet për të gjithë javën.
“Nuk do zhvillohen seancat jo vetëm sot, por gjatë të gjithë javës. Të vetmet procese që do të zhvillohen janë vetëm masat e sigurisë,” raporton Hoxha.
Policia ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka arrestuar tre persona të përfshirë në këtë ngjarje tronditëse. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ndodhi më 6 tetor, rreth orës 15:35, në sallën nr. 3 të gjykatës.
Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili po shqyrtonte një çështje civile me objekt kundërshtimin e veprimeve përmbarimore, u qëllua për vdekje nga shtetasi Elvis Shkambi, 30 vjeç, menjëherë pasi shpalli vendimin. Autori ishte në sallën e gjyqit duke ndjekur seancën për një pronë në Shkodër, ku palë e tretë e interesuar, ishte xhaxhai i tij i pranishëm në sallë, Gjon Shkambi, i cili e pretendonte atë prej shumë vitesh. Ai e mbante armën pranë vetes. Sapo gjyqtari Astrit Kalaja mori vendim në favor të paditësve dhe jo xhaxhait të tij, e përdori kundër tij.