Hetimet
Dy të plagosurit shprehen se nuk arritën t’ua fiksojnë fytyrat autorëve
Viktima
Pronari i tavernës, Nikolin Doda, 36 vjeç, i cili u ekzekutua me dy plumba, është dërguar në Fushë-Arës për t’i dhënë lamtumirën e fundit
Katër persona janë shoqëruar në Lezhë për vrasjen e pronarit të tavernës përballë Prokurorisë së Tiranës. Policia dyshon se atentati ku mbeti i vrarë pronari i tavernës dhe u plagos rëndë një oficer i SHKB-së dhe dy persona të tjerë, ishte për hakmarrje, ndërkohë që ka shoqëruar katër anëtarë të një familjeje në Lezhë, të cilët janë të afërm me personin e plagosur në vitin 1997 nga viktima e dy ditëve më parë. Megjithatë, ata janë lënë të lirë, pasi kanë alibi për vendndodhjen e tyre në momentin e krimit. Nga ana tjetër, dje janë marrë në pyetje dy nga të plagosurit gjatë atentatit, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë mundur të fiksojnë fytyrën e atentatorit. Grupi hetimor tha se pista kryesore për vrasjen e Nikolin Dodës dhe plagosjen e tre të tjerëve mbetet ajo e hakmarrjes, pasi 36-vjeçari, në vitin 1997 ka tentuar të vrasë një person, vepër penale për të cilën ka vuajtur burg deri në vitin 2005. Në këto kushte, policia ka shoqëruar disa të afërm të personit të dëmtuar në atë kohë, të cilët janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se nuk dinin asgjë për këtë atentat, madje kanë treguar dhe provuar se ku kishin qenë në momentin e krimit. Kjo i ka lënë në udhëkryq hetimet, ndërkohë që dje është përmirësuar gjendja e dy të plagosurve, pikërisht e Hylmi Merrajt, 42 vjeç, dhe Agron Doçit, 38 vjeç. Ata janë pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore, të cilët kanë rrëfyer se çfarë kishte ndodhur, por nuk kanë mundur të fiksojnë fytyrën e vrasësit. Gjithashtu, në pyetje janë marrë edhe punonjësit e tavernës, të cilët kanë shpjeguar se kanë qenë në ambientet e brendshme, kur është qëlluar me armë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku kanë fiksuar një makinë që largohej me shpejtësi, por s’kanë mundur të marrin të dhëna identifikuese për të. Ndërkaq, burimet policore shprehen se gjendja e rënduar shëndetësore vazhdon për të plagosurin e tretë, Uran Doda, 29 vjeç, i cili është oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar vetëm shtatë gëzhoja “Kallashnikovi”, ndërkohë që autorët mendohet se janë larguar me një makinë “Golf” të bardhë, me kabinë të zezë. Ble. Gi.