Ditën e mërkurë është zhvilluar në Gjykatën e Aleit të Tiranës seanca e plotë në lidhje me vrasjen e 7-vjeçares Jonada, nga ish-polici Arjan Tase.

Në seancë morën pjesë dy avokatët e të pandehurit edhe vetë autori, i cili ishte prezent në gjyq. Avokatët e të pandehurit kërkuan të shfaqen pamjet filmike të ngjarjes së rëndë, të sekuestruara nga kamera e hotelit. Kjo kërkesë u pranua, dhe u vendos që pamjet të shfaqen në seancën e radhës, më datë 27 shkurt 2025. Po ashtu avokatët e të pandehurit kërkojnë ndryshimin e klasifikimit të veprës penale vrasje me dashje, që i pandehuri të dënohet sa më pak.

Për News24 gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj thotë që në fjalën e tij i ka kërkuar trupës gjykuese se vendimi i shkallës së parë Vlorë që dënoi me 18 vite burg autorin, ka dhënë drejtësi dhe një rikonfirmim i këtij vendimi do të ishte dinjitoz në tragjedinë e familjes.

Në gusht 2022 Jonada Avdia u përplas për vdekje me skaf nga ish-polici Arjan Tase, ndërsa po pushonte me familjen në Potam të Himarës. 7-vjeçarja humbi jetën tragjikisht në plazhin Potam të Himarës teksa po lahej në det, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshti me rregulluat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Joanda u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Ngjarja solli reagime nga gjithë opinion publik, ndërsa protesta u organizuan për disa ditë me radhë. Një tragjedi e tillë solli edhe reagimin e policisë e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese pothuajse në të gjithë vijën bregdetare dhe iu nënshtruan një kontrolli, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar.