Pas ngjarjes të ditës së djeshme, ku mbeti i vrarë brenda sallës gjyqtari Astrit Kalaja nga Elvis Shkambi, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore përgjatë periudhës 7 dhe 10 tetor. Gjatë ditës së sotme, përjashtim do të bëjnë vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa të gjitha proceset e tjera gjyqësore janë pezulluar.
Ndërkohë, janë pezulluar dhe gjyqet në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku e vetmja kategori seancash që do të zhvillohen janë ato për caktimin e masave të sigurisë, për shkak të afateve procedurale që nuk mund të shtyhen.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua nga Elvis Shkambi, sapo dha vendimin për një çështje gjyqësore, në të cilën ishte palë e tretë xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Në pranga për ngjarjen kanë rënë Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe roja i Gjykatës, Banush Koxhaj.