Autoritetet shqiptare kanë finalizuar një tjetër operacion ekstradimesh ndërkombëtare, duke sjellë në Shqipëri dhe duke dorëzuar drejt vendeve partnere disa persona të kërkuar për vepra të rënda penale.
Nga Italia drejt Shqipërisë është ekstraduar shtetasi Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas hetimeve, Elezi akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Autoritetet shqiptare dyshojnë se ai ka trafikuar 2 kilogramë kokainë në Itali gjatë vitit 2020, ndërsa një vit më pas, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka trafikuar 932 kilogramë kokainë.
Ndërkohë, nga Shqipëria janë ekstraduar drejt Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dy persona të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Në Gjermani u ekstradua shtetasi Roy Garin, 43 vjeç, banues në Izrael, ndaj të cilit autoritetet gjermane kanë ngritur akuza për “Organizatë kriminale” dhe “Mashtrim me shuma të mëdha” në 33 raste.
Po ashtu, drejt Mbretërisë së Bashkuar u ekstradua 34-vjeçari Altin Shehu, i kërkuar nga drejtësia britanike për veprën penale të “Vrasjes”. Sipas autoriteteve, Gjykata e Kentit të Veriut kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg”.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe personave në kërkim.
