Rrëfimet e Artan Tafanit duket se kanë qenë çelësi për të zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale në vend.
Bëhet me dije se pas gati 2 vitesh është zbardhur së fundmi vrasja e Albi Bashaliut në Peqin.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në fshatin Gjoçaj më 27 Dhjetor të vitit 2021. Autorët, pasi kanë zbritur nga mjeti i tij 35-vjeçarin, e kanë vrarë atë. Në tentativë për t’u larguar, makina e tyre nuk është ndezur dhe autorët janë larguar me automjetin e viktimës.
Për të fshehur gjurmët, ata u vunë flakën makinës së tyre, e cila rezultonte të jetë e vjedhur në Tiranë.
Bashaliu u gjet i vrarë me armë zjarri në rrugë. Dyshohet se krimi ka ndodhur për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës Leonard Bashaliu vrau në 8 qershor të 2021-it, 44-vjeçarin Albert Xhahysaj.
Vetëm në sajë të megaoperacionit të djeshëm, pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ndodhet pas hekurave për grabitjen e një pike të këmbimit valutor në Astir. Tafani tregoi se kishte qenë pjesë e disa vrasjeve me pagesë të grupit të Laert Haxhiut, ky i fundit i akuzuar për masakrën e Lushnjës.
Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 16 urdhër-arreste dhe janë zbuluar 6 vrasje si dhe ngjarje të tjera kriminale, si vendosje eksplozivi dhe shkatërrim prone, apo dhe vjedhje.