Tiana Krasniqi ka folur për herë të parë në median shqiptare për gazetaren Semiljana Azizi, teksa ka ndarë për të gjithë publikun detaje nga dashuria me James Broadnax, një i dënuar me vdekje për vrasjen e 2 personave në vitin 2008 në Teksas.

Pavarësisht situatës së vështirë, ata vendosën të martohen. Ceremonia u zhvillua brenda burgut, përmes xhamit.

Ora 5:30 e kishim terminin e martesës. Ishte e gëzueshme, por edhe pak e mërzitshme sepse e dinim që ai kishte një datë për ekzekutim. Ishte e gëzueshme që më në fund u martuam, sepse kishim një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy. Ka qenë gëzim, por edhe trishtim sepse e dinim çfarë na priste dhe kishim ende luftën ligjore përpara”, shprehet Tiana.

Pas një beteje ligjore të gjatë, James Broadnax u ekzekutua. Tiana ishte e pranishme gjatë orëve të fundit. Ajo përshkroi momentet e fundit si jashtëzakonisht të rënda: “Ai qante dhe thoshte se nuk ishte gati të vdiste, se nuk e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar. Më tha: ‘Mos u dorëzo. Tregoni botës që unë jam i pafajshëm’”.

Pjesë nga intervista:

Semiljana Azizi: Ti dhe James keni kryer një ceremoni martesore në burg. Jeni martuar të dy përmes xhamit, në institucionin ku ai vuante dënimin. Si e kujton martesën tënde?

Tiana Krasniqi: Ora 5:30 e kishim terminin e martesës. Ishte e gëzueshme, por edhe pak e mërzitshme sepse e dinim që ai kishte një datë për ekzekutim. Ishte e gëzueshme që më në fund u martuam, sepse kishim një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy. Ka qenë gëzim, por edhe trishtim sepse e dinim çfarë na priste dhe kishim ende luftën ligjore përpara.

Semiljana Azizi: Cilat kanë qenë fjalët që keni shkëmbyer së bashku?

Tiana Krasniqi: Kanë qenë më shumë fjalë se jemi të fortë, jemi duke luftuar së bashku si bashkëshortë. Ai kishte besimin se do t’ia dilte, se do ta kalonte dënimin me vdekje.

Semiljana Azizi: Në momentin kur gjykata vendosi të ekzekutojë vendimin e dënimit me vdekje për bashkëshortin tënd, keni qenë e pranishme?

Tiana Krasniqi: Po, isha aty.

Semiljana Azizi: Si ka qenë ajo ditë, procedura, takimi i fundit me James, përshëndetja e fundit me të?

Tiana Krasniqi: Nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 ishim bashkë. Kemi pasur bisedat e fundit. Ai qante shumë, unë qaja shumë. Ai nuk e pranonte që duhej t’i ndalin jetën. “Nuk jam gati për të vdekur. Nuk e kam bërë këtë krim”, thoshte vazhdimisht. Ishte shumë vështirë të shihje një burrë 37-vjeçar të qajë dhe të thotë se ka frikë. Pastaj nga ora 14:00 deri në 17:00 prisnim ndonjë lajm për ndalimin e ekzekutimit. Në orën 16:00 më thanë që nuk do ta ndalin. Në orën 17:30 hyra në dhomën ku e pashë të shtrirë në shtratin e ekzekutimit, i lidhur me rripa. Ishte momenti më i trishtuar i jetës sime. Qamë të dy, folëm deri në frymën e fundit. Ai u kërkoi falje familjes së viktimave, por përsëri tha që ai nuk e ka bërë atë krim.

Semiljana Azizi: Ti dhe James jeni takuar fizikisht për herë të parë në momentin kur ai ishte pa jetë. Si e kujton atë moment?

Tiana Krasniqi: Hera e parë kur e prekën pas vdekjes… nuk është e lehtë. Ishte hera e parë dhe e fundit që prek një trup pa jetë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Është e rëndë. Sidomos kur e di që ai person të ka dashur dhe respektuar më shumë se kushdo tjetër në botë.

Semiljana Azizi: A arritën familjarët e personave që ndërruan jetë në grabitjen e 2008-ës ta falnin James-in kur ai u kërkoi falje në momentet e tij të fundit?

Tiana Krasniqi: Jo, ata nuk folën fare. Vetëm Jamesi u foli atyre. Unë isha aty derisa helmi i hyri në trup. Ai bërtiti nga dhimbja, doli nga vetëdija dhe pas 20 minutash vdiq. Unë u detyrova ta shoh aty 20 minuta duke ia ndalur frymën.

Semiljana Azizi: Cilat kanë qenë fjalët e fundit të tua dhe të Jamesit?

Tiana Krasniqi: Ai më tha: “Mos u dorëzo. Mos u dorëzo. Të dua shumë. Mos u dorëzo. Kallëzoji krejt botës që unë nuk e kam bërë këtë krim.” Deri sot, edhe pas tre javësh, nuk e kam lehtë fare.

Semiljana Azizi: A ua ka treguar James-i versionin e tij për të gjithë ngjarjen?

Tiana Krasniqi: Sa kemi mundur të flasim, ai gjithmonë ka thënë që nuk e ka bërë atë krim. Lexoje transkriptin dhe do ta shohësh. ADN-ja e tij nuk ishte as në armë, as në trupat e viktimave. Ishte ADN-ja e djalit të tezës së tij, i cili ishte bashkëpunëtor.

Semiljana Azizi: Sipas tij, kush e ka kryer krimin?

Aty ka qenë James-i dhe djali i tezës. ADN-ja në armë dhe në trupat e viktimave ka qenë e djalit të tezes. Jamesi e mori dënimin sepse mori fajin mbi vete për ta mbrojtur djalin e tezës nga dënimi me vdekje. Ai vetë nuk kishte asnjë problem kriminal më parë.

Semiljana Azizi: Tiana, ti njeh një person që me ty është treguar shumë inteligjent, shumë i dashur, shumë i afërt, ndërsa gjykata e Teksasit ka dalë në përfundimin se ai është vrasës i dy personave. A sheh një kontrast ndërmjet këtyre dy personazheve?

Tiana Krasniqi: Ky është pikërisht problemi. Kur ke evidencën që ai nuk e ka bërë krimin, por ata e injorojnë dhe nuk duan ta besojnë ADN-në dhe dëshminë e djalit të tezës që pranoi fajin.

Semiljana Azizi: Djali i tezës së James-it e ka pranuar fajin para se të jepej vendimi apo pas ekzekutimit të Jamesit?

Tiana Krasniqi: Para ekzekutimit. Më 11 mars ai bëri një video dhe nënshkroi që ai e ka bërë krimin. Tha që Jamesi mori fajin për ta mbrojtur atë.

Semiljana Azizi: Nëse James do të të dëgjonte sot në këtë intervistë, a ke diçka që do t’i thuash?

Tiana Krasniqi: Unë kurrë nuk kam me u dorëzu. Kam me kallëzu krejt botës që ai ishte i pafajshëm.

Semiljana Azizi: E momenti kur ti ke treguar familjes për marrëdhënien që kishe me James-in, si kanë reaguar ata?

Tiana Krasniqi: Nuk e kanë pritur mirë. Unë nuk kam pasur kontakt me familjen time që prej më shumë se 15 vitesh.

Semiljana Azizi: A je ndjerë ti, Tiana, e paragjykuar si një grua e dashuruar me një të dënuar me vdekje?

Tiana Krasniqi: Po, jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga familja – nga kushdo që e ka dëgjuar historinë tonë. Nuk i fajësoj njerëzit, sepse nuk është diçka e lehtë. Paragjykimet vijnë nga të gjitha anët.