Ekstradohet nga Greqia një fierak i kërkuar prej më shumë se një dekade për një vrasje të kryer 13 vjet më parë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit deklaruan se mbrëmjen e djeshme, u krye ekstradimi nga Athina, i Fiqiret Delija, 47 vjeç, lindur në në Qenas–Fier.
I njëjti burim ka saktësuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me një vendim që mban datëën 28.12.2001, e ka dënuar 47-vjeçarin Delija me 20 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. “Shtetasi Fiqiret Delija është deklaruar fajtor pasi më datë 18.03.1999, në fshatin Pojan, Fier në ambientin e një servisi makinash, pas një konflikti të momentit me shtetasin Arben Driza, e ka qëlluar këtë shtetas me armë zjarri të llojit pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, thuhet zyrtarisht nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë mësohet se Delija është arrestuar një vit më parë në Greqi, nga ku u bë i mundur ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
21 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
