Gazeta Shqip ka siguruar pamjet ku shihet momenti kur Ragip Gila, 29 vjeç, largohet me një automjet tip BMW gri, të cilin ia kishte rrëmbyer një qytetari nën kërcënimin e armës, menjëherë pas masakrës së ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër.

Në video, automjeti i rrethuar me të kuqe, shihet teksa drejtohet nga autori gjatë arratisjes së tij. Gila u largua me makinën deri në lagjen Skënderbeg, por për shkak të ndjekjes nga policia, u përplas me disa mjete të tjera. Pas aksidentit, ai braktisi BMW-në dhe tentoi të kalonte lumin Kir në këmbë, ku u arrestua nga forcat speciale “Shqiponja”.


Masakra në lokal

Sipas policisë, Ragip Gila hyri i armatosur me dy armë dhe i pajisur me antiplumb në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, ku hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty. Si pasojë, humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën rëndë Erogen Brajoviç (alias Erogen Vaso) dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se shënjestra kryesore e atentatit dyshohet të ketë qenë Brajoviçi, i cili mori tre plumba dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.