Ka mbërritur në Gjykatën e Korçës Kristian Sterjo, 20-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Johan Zukos. Sterjo është sjellë në gjykatë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa sot pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
20-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Seanca në Gjykatën e Korçës pritet të përcaktojë masën e sigurisë për Sterjon, i cili do të përballet me akuzat e ngritura nga organi i akuzës në lidhje me ngjarjen ku humbi jetën Johan Zuko.
I riu e vrau bashkëmoshatarin pasditen e 8 gushtit pas disa konflikteve të mëparshme mes tyre dhe një zënke ku autori pretendon se viktima i kishte ngacmuar të dashurën. Sipas dëshmisë së tij, ditën e ngjarjes e ka parë Zukon në një ‘Benz’, i shoqëruar nga dikush tjetër dhe i ka kërkuar të ndalonte. Kur i është afruar për t’u sqaruar, 20-vjeçari nxori një thikë dhe qëlloi drejt tij, më pas e shau. Ai tregoi se në gjaknxehtësi e sipër kishte shkuar në shtëpi, ku mbante të fshehur një armë zjarri të tipit pushkë, e kishte vendosur në një thes të bardhë dhe ishte nisur drejt lagjes së viktimës, të cilin e ndoqi nga pas dhe e qëlloi.
