Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të dyshuarit, Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, të akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 20 shkurt të këtij viti në Guci të Re, Rrethina.

Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, e cila e mbështeti akuzën me prova të forta, përfshirë përgjime ambientale, që mbeten ende sekret hetimor.

Koçeku dhe Lisaj dyshohen për “Vrasjen me paramendim në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, dhe janë arrestuar në kuadër të operacionit “Pesha e Krimit”.

Ata mohojnë akuzat dhe kanë deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes. Hetimet sugjerojnë se vrasja lidhet me një konflikt të gjatë mes Prekës dhe familjes Koçeku, për shkak të këmbënguljes së viktimës për të fejuar vajzën e Vasel Koçekut, e cila ishte vetëm 16 vjeçe.

Në mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj dyshohet se ka nxjerrë Prekën nga banesa, ndërsa Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë, duke shkaktuar vdekjen e tij të menjëhershme. Trupi i pajetë i viktimës u gjet disa orë më vonë nga familjarët.