Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e Jurgen Dukës mbrëmë në marketin në Tiranë.

Autoritetet kanë identifikuar autorin dhe bëhet fjalë për një punonjës policie në Dibër.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M.), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër.

Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.

Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit J. D. (M.), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes.

Vijon puna intensive për kapjen e autorit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor në bashkëpunim me SHÇBA-në vijon punën intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes.