Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin, ku një vajzë 24-vjeçare u gjet e pajetë në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, pranë Bllokut të Ambasadave. Viktima, e identifikuar si Ryan Alwan, ishte shtetase palestineze dhe nuk kishte shumë kohë që kishte hyrë në Shqipëri.

Trupi i saj u gjet nga pronari i banesës me qira, i cili vuri re mungesën e çdo lëvizjeje në apartament dhe njoftoi policinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes.

Sipas të dhënave, Ryan Alwan kishte mbërritur më 19 shkurt në Shqipëri së bashku me partnerin e saj, Fadi Alwan. Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë autori i ngjarjes, pasi është larguar nga Shqipëria më 22 shkurt përmes aeroportit të Rinasit, me destinacion final Amsterdamin.

Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë se i dyshuari, përpara largimit, kishte fshirë çdo gjurmë nga vendngjarja dhe u largua me një qese në dorë, ku mendohet se ka fshehur mjetet e përdorura për vrasjen. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ai e ka dhunuar brutalisht partneren dhe më pas e ka goditur me thikë.

Policia shqiptare është në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare për të ndaluar të dyshuarin dhe për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje të rëndë.