Detaje të reja janë zbardhur mbi Kamber Sulçajn, “çobani” i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi.
48-vjeçari, i cili është i shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë, rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur “Stone Quramenga”.
Në këtë gurore është aksioner me 25%, së bashku me babain e tij Delo Sulçaj i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve. Në këtë gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me familjen Sulçaj. Përpos aksioneve në gurore, Kamber Sulçaj posedon edhe një stan me bagëti.
Ndërkohë, disa familjarë të tij janë emra të njohur për drejtësinë. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestuan vëllai i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi, të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.
Kujtojmë se ditën e sotme, policia njoftoi zyrtarisht se gjatë kontrolleve në banesën e 48-vjeçarit dhe banesat e familjarëve të tij në Vlorë, për të arrestuar Kamber Sulçajn, policia gjeti edhe 450 fara kanabisi.