Gjykata e Shkallës së Parë të Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “burg pa afat” për Kamber Sulçen, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi.

Në seancën gjyqësore, prokurorja e çështjes, Blerina Musabelli, paraqiti provat e mbledhura nga grupi hetimor në vendngjarje, si dhe rrethanat që çuan deri në vetdorëzimin e Sulçes tri ditë më parë.

Avokati mbrojtës Arsenal Zotaj, i ardhur nga Vlora, kërkoi që gjykata të merrte parasysh vetdorëzimin e klientit si një rrethanë lehtësuese. Megjithatë, vetë i pandehuri qëndroi i heshtur dhe nuk dha asnjë deklaratë gjatë gjithë seancës.

Pas shqyrtimit të kërkesave, kryesuesja e seancës dhe njëkohësisht kreu i Gjykatës së Gjirokastrës, Entela Selmanaj, vendosi masën “burg pa afat”.

Mësohet se mbrojtja do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë.