Policia e Shtetit ka njoftuar se është vetëdorëzuar shtetasi Kamber Sulçaj, 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik të Vlorës, i dyshuar si autor i vrasjes me armë zjarri të shtetasit italian Edoardo Sarchi, ngjarje e ndodhur pas mesnatës së 26 shtatorit 2025, në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit” në Tepelenë.
Sipas autoriteteve, Sulçaj është paraqitur vullnetarisht në Policinë e Gjirokastrës, pas negociatave me strukturat hetimore. Gjatë vetëdorëzimit, ai ka dorëzuar edhe armën e gjahut me vjaska, me të cilën dyshohet se ka kryer krimin, si dhe lejen për posedimin e saj.
Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi viktima, 55-vjeçari Edoardo Sarchi, ishte një biznesmen italian i njohur në zonë, i cili ushtronte aktivitet në fushën e turizmit rural dhe kishte lidhje të hershme me Shqipërinë.
Njoftimi i plotë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Gjirokastër kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, në mungesë, për shtetasin K. S., 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. S. ka qëlluar me armë gjahu me vjaska, në drejtim të shtetasit E. S., shtetasve që shoqëronin këtë të fundit dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi E. S..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të metejshme.