Policia po vijon kërkimet për gjetjen e Armand Shakajt, autori i vrasjes së Eglant Koçit. Pas gjetjes së trupit të viktimës, kërkimet janë intensifikuar dhe dyshohet se Shakaj fshihet në zona të thella të Tiranës. Policia po vijon negociatat me familjen për ta bindur që të vetëdorëzohet, megjithatë deri më tani nuk ka asnjë të dhënë. Po ashtu, uniformat blu ende nuk kanë arritur të gjejnë edhe armën e krimit, me të cilën Shakaj i mori jetën shokut të tij. Gjurmimi i Armand Shakajt ka qenë i vështirë deri tani, pasi për të humbur gjurmët ka ndërruar disa numra celulari.

Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi më 5 qershor, dita e fundit kur Eglant Koçi u pa i gjallë. Shakaj dyshohet se e vrau Koçin me plumb në kokë brenda lokalit të tij dhe më pas zhduki trupin. Pas kësaj ditë, familja e shpalli të zhdukur të riun dhe policia nisi kërkimet. Ndërkohë, Shakaj kishte nisur veprimet për të fshehur gjurmët e krimit.

Fillimisht, pas mesnatës së 5 qershorit, dërgoi motorin e Koçit në zonën e “5 Majit” për të shpërqendruar policinë. Me trupin e Koçit në qese të zeza më 6 maj e futi në makinë, të cilën me një karrotrec e kaloi përtej Ibës, sërish për të shmangur kontrollin e policisë. Nga aty, mundi të depërtojë në zonën e thellë dhe ta hedh në humnerë. Pasi u kthye urdhëroi kamerierin e lokalit të tij të lante makinën, por tashmë policia po mblidhte provat. Dëshmia e Enea Zyferit i dha ndihmë policisë për hetimet, edhe pse vetë pretendoi se nuk ishte përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Trupi i Koçit u gjet pas dy javësh kërkimesh dhe analizat e ADN-së në krahasimin me profilin gjenetik të nënës së tij, vërtetuan se ishte ai. Edhe më herët ajo i tha grupit hetimor se trupi në gjendje të avancuar dekompozimi i përkiste djalit të saj, pasi e kishte njohur nga një shenjë dalluese në trup dhe rrobave që mbante veshur.

Policia ka ngritur 2 pista kryesore për ngjarjen, konflikt për kriptomonedhat ose paratë me fajde, të cilat janë akoma të paplota.